Informacione 21.10.2025
Takim dypalësh ndërmjet Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Prishtinës dhe Tiranës
Më datë 16 tetor 2025, në Tiranë, u zhvillua një takim zyrtar ndërmjet dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Mirlind Bruci, dhe dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Genti Guxho.
Qëllimi i takimit ishte forcimi i marrëdhënieve institucionale dhe nxitja e bashkëpunimit akademik e shkencor ndërmjet dy fakulteteve homologe, me fokus të veçantë në zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe rritjen e mobilitetit akademik.
Gjatë diskutimeve u trajtuan një sërë çështjesh me rëndësi, ndër të cilat:
• Shkëmbimi i stafit akademik dhe studentëve përmes programeve ndërkombëtare si Erasmus+ dhe CEEPUS;
• Organizimi i përbashkët i konferencave shkencore, seminareve tematike dhe aktiviteteve akademike;
• Thellimi i bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor, inovacionit dhe transferimit të njohurive;
• Krahasimi dhe përafrimi i kurrikulave, me synim krijimin e mundësive për bashkëpunim të strukturuar në të gjitha nivelet e studimeve.
Të dy dekanët nënvizuan rëndësinë e intensifikimit të kontakteve dhe zhvillimit të nismave konkrete që do të kenë ndikim afatgjatë në përgatitjen profesionale të studentëve dhe zhvillimin e stafit akademik.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një partneriteti të qëndrueshëm dhe efektiv ndërmjet Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Prishtinë dhe atij në Tiranë, duke u bërë një model frymëzues i bashkëpunimit ndërinstitucional në hapësirën shqiptare dhe më gjerë.