Informacione 17.09.2021
Shumë shpejt një diplomë e dyfishtë në programin e Studimit Msc në Inxhinieri Mekanike në bashkëpunim me Universitetin e Tuscia-s, Itali
Në Universitetin Politeknik të Tiranës, më datë 15 shtator 2021, kreu vizitë një delegacion i Universitetit të Tuscia-s, Itali. Delegacionin e kryesonte Rektori i këtij universiteti, Profesor Stefano Ubertini.
Qëllimi i vizitës ishte diskutimi i arritjeve të bashkëpunimit të deritanishëm, diskutimi për diplomë të dyfishtë, nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy universiteteve (Memorandum of Cooperation on Science and Education), nënshkrimi i marrëveshjes në kuadër të Erasmus+ (Inter-institutional agreement 2021), si dhe diskutimi mbi projektet e së ardhmes midis dy universiteteve. Në takim nga Universiteti Politeknik i Tiranës mori pjesë Rektori i UPT -së Prof. Andrea Maliqari, zv / rektorët Prof. Akli Fundo dhe Prof. E. Shehu si dhe Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike Prof. Genti Guxho.
Diploma e Dyfishtë është një mundësi që studentët e fakultetit tonë të fitojnë në pothuajse të njëjtën periudhë studimi dy diploma (një nga PUT dhe një diplomë inxhinierike italiane)
Universiteti i Tuscia-s është universitet publik, i themeluar në vitin 1979. Ka 6 fakultete dhe rreth 7000 studentë. 2% e studentëve janë studentë ndërkombëtarë. Universiteti ka një aktivitet të gjerë në kërkimin shkencor dhe mësimdhënie. Ai ka 300 marrëveshje Erasmus+, 5 projekte ICM KA107. Universiteti ofron nivele studimi në 19 programe Bachelor, 22 programe Master (2-vjeçar), 2 programe cikël i vetëm 5-vjeçar dhe 7 programe doktorature.