In principio revolutionis indvstrialis machina erat

Informacione

Inaugurohet Laboratori i Energjisë Diellore dhe Eolike në Departamentin e Energjisë

Sot më 30/10/2023, Ministri e Arsimit Sportit dhe Rinisë Znj. Ogerta Manastirliu, ka marrë pjesë në inaugurimin e Laboratorit të Energjisë Diellore dhe Eolike pranë Departamentit të Energjisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike (FIM). Ky është Laboratori i vetëm i këtij lloji në Shqipëri, ngritja e të cilit u bë me mbështetjen financiare të AKKSHI (Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit) në kuadër të Projekteve të Infrastrukturës së Kërkimeve Shkencore (2022-23).

Merrnin pjesë gjithashtu Drejtori i AKKSHI znj. Mirela Muça, Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës Prof. Dr. Andrea Maliqari, Dekani i FIM Prof. Genti Guxho, Drejtuesi i Departamentit të Energjisë Prof. Majlinda Alcani, pedagogë dhe studentë.

Drejtuesi i projektit për ngritjen e laboratorit Prof. Dr. Andonaq Londo, bëri një paraqitje të pajisjeve, software, mundësive për kërkim të laboratorit si dhe të punës së kryer për implementimin e projektit. Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë Znj. Ogerta Manastirliu theksoi rëndësinë e fushës së energjisë së rinovueshme si prioritet në ekonomi dhe në kërkimin shkencore. Ajo nxiti stafin e Fakultetit të jetë aktiv në projektet e kërkim zhvillimit të mbështetura nga qeveria shqiptare, Bashkimi Europian dhe kompanitë industriale. Rektori i UPT, Prof. Dr. Andrea Maliqari në fjalën e tij theksoi se prioritete strategjike të Universitetit Politeknik të Tiranës janë kërkimi shkencor dhe internacionalizimi .